Klubi i Motoristëve “Plisat” në Arbon dhuroi 2.500 franga për shtatoren e Skënderbeut në Hora të Arbëreshëve
19. Shkurt 2024Takim me veprimtaren dhe diplomaten Shukrije Ramadani
2. Mars 2024Në kuadër të aktivitetit për realizimin e projektit të vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve në Sicili të Italisë, shoqata “Hora e Skënderbeut” ka ftuar një takim të zgjeruar me ansamble e shoqata kulturore shqiptare në Zvicër, të cilat kanë shprehur gatishmërinë të bëhen pjesë e këtij projekti.
Takimi do të mbahet të dielën më 3 mars 2024 në lokalet e shoqatës «Bashkimi» në Uster nga ora 13:00. Ky takim do të jetë një përgatitje për realizimin e një tubimi në mbështetje të projektit për vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Horën e Arbëreshëvet në Sicili, si dhe do të shërbejë për njoftim më të detajuar me projektin për shoqatat që do të marrin pjesë.
Falënderojmë shoqatën “Bashkimi” që ka shprehur gatishmërinë që të jetë nikoqire e këtij takimi, si dhe të gjitha shoqatat e ansamblet tjera të cilat do të marrin pjesë në këtë takim. Shoqatat tjera të cilat dëshirojnë të bashkëngjiten mund të vijnë në takim ose të deklarohen më vonë për pjesëmarrje në aktivitete.
Shtatorja e Skënderbeut, vepër e skulptorit Gëzim Muriqi, do të vendoset më 30 gusht 2024 në Horën e Arbëreshëvet, si dhuratë e mërgimtarëve shqiptar për arbëreshët. Kjo në shenjë mirënjohjeje për arbëreshët për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore. Njëkohësisht, ky është një kontribut i drejtpërdrejtë i mërgimtarëve për shkëmbim kulturor në mes të arbëreshëve dhe shqiptarëve në përgjithësi.