“SKËNDERBEU NA BASHKON” do të jetë motoja e koncertit të 13 prillit 2024
18. Mars 2024Intervistë e Ramadan Morinës, kryetar i shoqatës “Hora e Skënderbeut”
8. Prill 2024Kryetari i Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, Rosario Petta priti delegacionin e Shoqatës “Hora e Skënderbeut” nga Zvicra
Me këtë rast të dyja palët shprehën kënaqësinë që punët për inaugurimin e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Hora të Arbëreshëve në Sicili po shkojnë sipas parashikimeve dhe se inaugurimi solemn do të bëhet me 30 gusht në ditën e themelimit të Horës së Arbëreshëve, meqë rast pritet pjesëmarrje masive nga radhët e trojeve shqiptare dhe mërgata si dhe e udhëheqësve të tria shteteve: Italisë , Shqipërisë dhe Kosovës.
Rexhep Rifati
Prej dje në Horën e Arbëreshëve në Sicili po qëndron delegacioni i Kryesisë së shoqatës “Hora e Skënderbeut” nga Zvicra në përbërje Ramadan Morina, Adnan Asllani, Veli Genc Berisha dhe Rexhep Rifati, me qëllim që të merr pjesë dhe uron Festën e Pashkëve, por edhe që të bashkëbisedojë me udhëheqësit e Horës lidhur me ecurinë e projektit për me inaugurimin e shtatores së Kryetrimit tonë, punim ky i skulptorit tonë të mirënjohur Gëzim Muriqi, e që po financohet me kontribute vullnetare nga mërgimtarët tanë nga shtetet perëndimore.
Me këtë rast në zyrën e Bashkisë së Horës, patëm një pritje vëllazërore nga kryetari Rosario Petta, i cili pos që shprehi kënaqësinë për këtë vizitë na njoftoi edhe për rrjedhën e punimeve rreth rregullimit të sheshit ku do të vendoset shtatorja, e të vilat pritet të fillojnë gjatë muajit prill dhe se me rastin e inaugurimit do të ftohen e edhe përfaqësuesit e tria shteteve si dhe përfaqësues të fushave të ndryshme.
Ndërsa kryetari i shoqatës “Hora e Skënderbeut” e njoftoi bashkiakun e Horës rreth gatishmërisë së mërgimtarëve tanë dhe të skulptorit Muriqi për finalizimin e shtatores dhe se preokupim mbetet çështja e transportit, për çka bashkiaku i Horës tha se kjo do të bisedohet mes organeve gjegjëse të të dyja vendeve. Për sensibilizimin e mëtejshëm të këtij projekti madhor, në Zvicër do të mbahet edhe një koncert i madh me pjesëmarrjen e shoqatave dhe ansambleve të shumta me 13 prill me emërtimin “Skënderbeu na bashkon”.
Do theksuar se në kuadër të festës së pashkëve në mbarë Horën e Arbëreshëve po mbretëron një atmosferë tejet festive, e që pos në kisha e katedrale kjo vërehet edhe në pjesëmarrjen e shumtë të qytetarëve rrugëve të qytezës ku shumë godina janë stolisë me flamuj kombëtarë dhe me flamurin e shtetit të Kosovës. Po ashtu vërehet një prani e shtuar edhe mërgimtarëve tanë nga shtetet e ndryshme evropiane, ndërsa nesër arrin edhe një delegacion nga Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës së Kosovës.