Hora e Arbëreshëvet,
kryeqendra e identitetit arbëror

Bashkia Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) është themeluar më 30 gusht të vitit 1488, njëzet vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, dhe ndodhet 25 kilometra në jug të qytetit Palermo në Sicili. Ajo ruan me shumë dashuri e fanatizëm gjuhën, traditat, ritet dhe simbolet kombëtare.

Në Horën e Arbëreshëvet lindi Lekë Matrënga, një ndër personalitetet më të shquara të letërsisë shqipe të fundit të shekullit XVI dhe fillimit të shekullit XVII, që la një trashëgimi të madhe kulturore, që me plot të drejtë mund të konsiderohet si thesar i patjetërsueshëm në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në mesin e arbëreshëve të Italisë. Po në këtë vend lindi edhe Zef Skiroi, gjuhëtar, publicist, folklorist dhe poet neoklasik i fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.

Në shenjë respekti për kontributin e arbëreshëve për çështjen kombëtare, në momentet historike kur vendosej fati i kombit, Ismail Qemail vizitoi Horën e Arbëreshëvet, si kryeqendër e arbëreshëve të Italisë.

Aktualisht, Bashkia Hora e Arbëreshëvet përdor dokumente zyrtare dygjuhësore: shqip dhe italisht, në bazë të ligjit për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali. Gjuha shqipe është lëndë plotësuese fakultative në shkollën e këtushme “Skanderbeg”.  Flamuri kombëtar valëvitet në shumë objekte publike e private, përfshirë edhe godinën e Bashkisë së Horës së Arbëreshëvet.

Nëpërmjet një shkrese zyrtare, shoqata “Hora e Skënderbeut” u njoftua se Bashkia Hora e Arbëreshëvet e ka pritur me dashamirësi të madhe projektin tonë dhe ka caktuar sheshin ku do të vendoset shtatorja dhe datën për vendosjen e saj, që është 30 gushti 2024. Kjo datë shënon ditën më të rëndësishme në historinë e saj: ditën e themelimit të Horës së Arbëreshëvet!