
Kush jemi ne?

Arbëreshët e Italisë jo vetëm që ruajtën ndër shekuj identitetin e tyre, por dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha periudhat historike, sidomos nga koha e Rilindjes sonë Kombëtare e deri te lufta e fundit, kur populli shqiptar i Kosovës u ballafaqua me zbatimin e gjenocidit të Serbisë.
Në shenjë mirënjohjeje ndaj kontributit të madh të arbëreshëve, shoqata “Hora e Skënderbeut”, e themeluar nga mërgimtarët shqiptarë më 10 shtator 2023 në Zvicër, ndërmori nismën, që Bashkisë Hora e Arbëreshëvet në Sicili të Italisë t’i dhurojë një shtatore madhështore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Shtatorja mbi tre metra e lartë, e punuar me mjeshtëri nga skulptori Gëzim Muriqi, na sjell Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në gjendje gatishmërie, mbi shkëmbin e atdheut që bart plagët e përpjekjeve armiqësore për ta copëtuar, dhe të palëkundur përballë furtunave të kohës, gjë që e pasqyrojnë palat e pelerinës. Ndërkaq, vështrimi i tij depërtues ua bën të qartë egërsirave që vijnë të maskuara me lëkurë qengji, se do të ballafaqohen me atë, që në supe mban lëkurën e ujkut!
Realizimi i këtij projekti do të bëhet me mbështetjen financiare të mërgimtarëve.
Krahas mirënjohjes që shprehim ndaj arbëreshëve të Italisë, dhurimi i shtatores së Gjergj Kastriotit, që përbën shtyllën kryesore të identitetit tonë kombëtar, do t’i japë një shtytje të re kultivimit të mëtejmë të lidhjeve tona, kudo qofshim në botë!

Ramadan Morina

Rexhep Rifati

Adnan Asllani

Veli Berisha

Shqipe Bytyqi

Luljeta Fetahaj
