Projekti ynë
Projekti ynë është vendosja e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në njërin nga sheshet e qytetit Hora e Arbëreshëvet, i cili ndodhet në Sicili të Italisë.
Skulptori Gëzim Muriqi është kontraktuar nga ne, që të realizojë shtatoren me figurën e Heroit tonë Kombëtar. Këtë shtatore ai e ka realizuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm, duke krijuar kështu një nga shtatoret më të bukura të realizuara për Gjergj Kastriotin.
Skënderbeu i Gëzim Muriqit është më këmbë, i veshur me veshje luftarake dhe i armatosur me shpatë e mburojë, i gatshëm për betejën e radhës. Pelerina prej lëkure ujku, që i është hedhur krahëve, valëvitet dhe kjo të jep përshtypjen se figura e Skënderbeut është në lëvizje. Një realizim i bukur, i cili kërkon një vend dinjitoz për vendosjen e kësaj vepre artistike.
Duke qenë se arbëreshët jetojnë me figurën e Skënderbeut, duke e trajtuar edhe si kryezot; duke parë se trashëgimtarët më të denjë të Gjergj Kastriotit janë pikërisht ata, ne kemi menduar që një shtatore e tillë e ka vendin pikërisht aty, ku Heroi ynë Kombëtar ka bijtë e vet. Hora e Arbëreshëvet është e themeluar vetëm njëzet vjet pas vdekjes së Skënderbeut. Aty deri më tani, sikundër edhe në të gjitha vendbanimet arbëreshe, nuk ka ndonjë shtatore të Skënderbeut, por vetëm buste.
Bashkia e Horës së Arbëreshëvet e ka pritur projektin tonë me shumë dashamirësi dhe përmes një shkrese zyrtare, ka konfirmuar pranimin e dhuratës dhe ka caktuar sheshin ku do të vendoset shtatorja. Vendosja e kësaj shtatoreje do të bëhet më 30 gusht 2024, sipas marrëveshjes me bashkinë dhe kryetarin e saj, z. Rosario Petta.
Gëzim Muriqi
Skulptori Gëzim Muriqi ka lindur në Prishtinë, në vitin 1974. Ka mbaruar fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, në nivelin Master, me profilizim për skulpturë.
Është një nga skulptorët më të njohur në Kosovë, i cili ka realizuar një numër të madh veprash artistike, të cilat stolisin sheshet e Kosovës, Kroacisë dhe Italisë.
Ndër veprat e tij më të njohura janë:
- shtatorja e Zhuj Selmanit, Pejë 2013;
- shtatorja e Ibrahim Rugovës, Pejë 2017;
- shtatorja e Nënë Terezës, Rijekë (Kroaci) 2018;
- shtatoret e Ymer Prizrenit e Sylejman Vokshit në kompleksin “Lidhja e Prizrenit”, Prizren 2018;
- shtatorja e Ibrahim Rugovës, Istog 2020;
- busti i Skënderbeut, Zarë (Kroaci) 2020;
- shtatoret e Bekim Berishës, Skënder Çekut, Agim Çelajt, Xhemajl Fetahajt e shumë vepra të tjera artistike.
Për punën e tij profesionale është nderuar me shumë çmime dhe ka fituar në një numër të madh të konkurseve vendore e ndërkombëtare.