
Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë!
8. Janar 2025Me zemër plot gëzim, krenari dhe mirënjohje të thellë, mirëpritëm shpalljen e z. Rexhep Rifatit, një nga doajenët e gazetarisë shqiptare, si Qytetar Nderi i Horës së Arbëreshëvet.
Kjo ceremoni solemne u organizua më 4 prill, në sallën e Bashkisë së Horës së Arbëreshëvet, në prani të zyrtarëve të bashkisë, të familjarëve dh miqve të shumë të z. Rifati, të cilët i dhanë këtij momenti një madhështi dhe ngrohtësi të veçantë.
Vendimi për ta shpallur z. Rexhep Rifati Qytetar Nderi ishte marrë më 9 mars, në mënyrë unanime, duke dëshmuar respektin dhe vlerësimin e lartë institucional për jetën dhe veprën e tij.
Ky titull përbën një mirënjohje të merituar për kontributin e çmuar të z. Rexhep Rifati, i cili për më shumë se pesë dekada ka vizituar vendbanimet arbëreshe në Itali, duke i dokumentuar, promovuar dhe forcuar lidhjet shpirtërore, kulturore e kombëtare mes arbëreshëve dhe shqiptarëve kudo që ndodhen.
Një domethënie të veçantë këtij nderimi i jep edhe fakti se z. Rexhep Rifati dhe Shoqata “Hora e Skënderbeut” ndërmorën iniciativën për vendosjen në Horën e Arbëreshëvet të shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, dhuratë e mërgimtarëve shqiptarë. Ky projekt i rëndësishëm u realizua në vitin 2024, duke lënë një gjurmë të përhershme në historinë dhe kujtesën e këtij vendi arbëresh.
Për ne, ky nuk është vetëm një nderim për një personalitet të shquar si z. Rifati. Me këtë rast është vlerësuar edhe Shoqata “Hora e Skënderbeut”, puna jonë e përbashkët, përkushtimi shumëvjeçar dhe kontributi i mërgimtarëve shqiptarë, të cilët me dashuri e besnikëri kanë qëndruar pranë botës arbëreshe.
Propozimi për ta shpallur Qytetar Nderi u mbështet edhe nga shkrimtari i shquar arbëresh z. Giuseppe Schirò Di Maggio (Zef Skiro Di Maxho), si dhe nga Shoqata Pro Loco e Horës së Arbëreshëvet, që drejtohet nga Giorgio Cuccia. Të dy ishin të pranishëm në këtë ceremoni dhe morën fjalën, duke shprehur vlerësime të larta për z. Rexhep Rifati dhe për kontributin e tij të vyer në ruajtjen dhe promovimin e kulturës arbëreshe.
Me këtë rast, Kryetari i Bashkisë z. Rosario Petta, në fjalën e tij, vlerësoi lart figurën e z. Rexhep Rifatit, duke e falënderuar për punën e tij të palodhshme ndër vite dhe për rolin e tij të çmuar në promovimin e kulturës arbëreshe.
Nga ana e tij, edhe z. Rexhep Rifati, në një fjalë plot emocionesh, falënderoi nga zemra Këshillin Bashkiak për këtë nderim, duke e cilësuar atë si njërën ndër mirënjohjet më të mëdha të jetës së tij.
Në këtë ceremoni morën pjesë, si përfaqësues të Shoqatës “Hora e Skënderbeut”, Shqipe Bytyqi, Veli Berisha, Ramadan Morina – kryetar i shoqatës – dhe Adnan Asllani – sekretar i saj. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe z. Musa Jupolli, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, si dhe Ornela Radovicka nga Qendra për Studime të Gjuhës dhe Kulturës Arbëreshe. Me fjalë përshëndetëse u paraqitën Ornela Radovicka, Ramadan Morina, Adnan Asllani dhe Musa Jupolli, duke i dhënë kësaj ceremonie një frymë edhe më të ngrohtë, përfaqësuese dhe dinjitoze.
Me një program modest artistik u paraqitën edhe Shpejtim dhe Afërdita Krasniqi, duke ia shtuar ceremonisë një emocion dhe hijeshi të veçantë.
Shoqata “Hora e Skënderbeut” shpreh falënderimet më të sinqerta për Bashkinë e Horës së Arbëreshëvet dhe për kryetarin e saj, Rosario Petta, për këtë vlerësim të lartë dhe kuptimplotë.
Ne vlerësojmë se, duke nderuar z. Rexhep Rifatin, Hora e Arbëreshëvet ka nderuar njëkohësisht edhe veprën e Shoqatës “Hora e Skënderbeut”, edhe kontributin e mërgatës shqiptare, edhe të gjithë ata që punojnë me përkushtim për ruajtjen dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar, kulturor e historik.
Urime nga zemra, z. Rexhep Rifati!
Ky titull është nder për Ju, për Shoqatën “Hora e Skënderbeut”, për mërgimtarët shqiptarë dhe për të gjithë ata që e duan me shpirt Horën e Arbëreshëvet dhe arbëreshët në përgjithësi.














