Shtatorja e Skënderbeut mbërrin në Itali
6. Gusht 2024Hora e Arbëreshëve i dha botës shqiptare figura të shquara që nga shekulli i XV
22. Gusht 2024Shtatorja e Skënderbeut përurohet me 30 gusht me një manifestim madhështor te Hora e Arbëreshëvet
Realizuesit e projektit të shtatores së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu: Shoqata “Hora e Skënderbeut“ dhe Bashkia e Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), në krye me presidentin z. Rosario Petta, më 14 gusht mbajtën një takim të përbashkët pune, ku i definuan pikat e programit lidhur me përurimin që do të bëhet më 30 gusht, në ora 17, për çka komuna i ka bërë të gjitha përgatitjet për një pjesëmarrje masive nga mërgata e trojet shqiptare, përfshi edhe një program të pasur artistik
Nga 13-15 gushti anëtarët e shoqatës „Hora e Skënderbeut” me seli në Cyrih, qëndruan në Horën e Arbëreshëvev (Piana degli Albanese), në përbërje Ramadan Morina, Adnan Asllani, Veli Genc Berisha dhe unë, me ç’rast nga krybashkiaku i Horës, z. Rosario Petta dhe stafi i tij (ndonëse për administratën në Itali ishte ditë pushimi) u njoftuan në detaje rreth punimeve si në sheshin ku do të vendoset shtatorja, vepër e skulptorit prishtinas, Gëzim Muriqi, si dhe për programin festiv, ku pos aktit solemn, ku janë ftuar personalitete të shumta si nga pala shqiptare ashtu edhe ajo italiane.
Delegacioni nga afër pa se me ç ‘angazhim dhe përkushtim komuna po punon rreth përmbylljes së këtij projekti, pasi tashmë qindra bashkëkombas, pos nga mërgata, kryesisht kontribuues me mjete për ngritjen e shtatores, si dhe adhurues të këtij projekti nga trojet etnike kanë paralajmëruar pjesëmarrjen manifestim. Nikoqiri, Bashkia e Horës së Arbëreshëvet, tashmë ka hartuar edhe programin e manifestimi që parasheh që zbulimi shtatores të përcillet edhe me program artistik nga grupe vendase dhe mërgata. Programi do të fillojë me aktivitet edhe ditë më parë, ndërsa inaugurimi bëhet me 30 gusht në ora 17, për të vazhduar edhe me pjesën artistike me grupe nga Zvicra, për çka kësaj radhe janë lajmëruar Shkolla Shqiptare e Vallëzimit „Shota“ dhe Shoqata „Bashkimi“, si dhe kori i grave „Lyra“ nga Zvicra. Programi artistik do të realizohet pos te sheshi ku inaugurohet shtatorja edhe në qendër të qytetit pranë muzeut etnografik, i cili po ashtu do të rifillojë punën pas disa muajsh renovimesh në objekt.
Shoqata „Hora e Skënderbeut” me këtë rast falënderon krahas bashkisë së Horës edhe të gjithë mërgimtarët- donatorë dhe jo vetëm ata por disa donatorë nga Kosova të cilët ndihmuan financiarisht në realizimin e këtij projekti. Gjithashtu falënderon edhe shoqatat nga Hora e Arbëreshëvet e nga mërgata për angazhimin vullnetar sa i përket pikave artistike të programit, me dëshirën që ky manifestim (që përkon edhe me ditën e themelimit të Horës së Arbëreshëvet 1488), të kalojë në një atmosferë sa më madhështore e festive siç e meriton figura madhore e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe siç e meritojnë motrat dhe vëllezërit arbëresh në Hora, të këtij lokaliteti më të madh arbëresh në Sicili, që njihet jo vetëm për figura të mëdha që i ka dhënë kulturës shqiptare, por edhe për një mikpritje më se të ngrohtë tradicionale.
Delegacioni i shoqatës „Hora e Skënderbeut“ njofton se falë donatorëve tashme janë kryer të gjitha obligimet financiare, për çka jo vetëm që i falënderon donatorët, por edhe i fton që të jenë pjesëmarrës në ceremoninë e inaugurimit, që ta përjetojnë nga afër veprën për të cilët me shpirt e zemër kanë kontribuar, në mënyrë që kështu të njihen nga afër me komunitetin e një gjuhe e gjaku në mënyrë që në të ardhmen të thellohen edhe më tej vizitat e ndërsjella që do thellojnë jo vetëm dashurinë me njëri tjetrin por edhe realizimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme e sidomos në ato kulturo-arsimore dhe sportive.
Gjatë qëndrimit te Hora e Arbëreshëvet patëm takime dhe ndeja më se të ngrohta, përfshi këtu edhe individë e shoqata arbëreshe që kanë shprehur gatishmërinë që vullnetarisht të ndihmojnë rreth përmbylljes artistike të këtij manifestimit. Ndërsa në kthim e sipër ishim edhe në Palermo, ku vizituam Katedralen Arbëreshe të ngritur që në shekullin e 16- të.